Storie Suksesi

Në korrik të këtij viti, organizata EC Ma Ndryshe mbajti takimin e parë të Kuvendit të anëtarëve/eve të saj për vitin 2016. Gjatë këtij takimi anëtarët/et patën mundësinë të diskutojnë për mbarëvajtjen e punëve të organizatës si dhe të aprovojnë dokumente relevante siç janë: Raporti Financiar janar-qershor 2016, Plani i Punës për pjesën e mbetur të vitit 2016 etj. Një ndër dokumentet me rëndësi që u aprovuan gjatë këtij takimi ishte edhe Manuali për Integrimin e Perspektivës Gjinore, të cilin EC-i e ka përpiluar në bashkëpunim me organizatën PEN. Udhëzimet e përpiluara në këtë manual janë bazuar në statutin e EC-it, Strategjinë për periudhën 2015-2019, rregulloren e punës dhe ueb-faqen e EC-it. Qëllimi i manualit është t’i shtjellojë procedurat e zbatimit të perspektivës gjinore në ecurinë e punës të organizatës duke ofruar: 1) njohuri konceptuale, mjete praktike dhe resurse për integrim gjinor; si dhe duke 2) ofruar shpjegime të hollësishme, burime dhe mjete për integrim gjinor brenda politikave, programeve dhe aktiviteteve të EC-it. Një shembull i tillë është udhëzimi që të përdoren formulime të cilat nuk përfshijnë vetëm njërën gjini. P.sh hulumtues/e, koordinator/e, Bordi Drejtues e jo Bordi i Drejtorëve. Në këtë mënyrë evitohen diskriminimet gjuhësore në baza gjinore dhe ofrohen mundësi të barabarta si për burrat ashtu edhe për gratë. Për ti zbatuar këto sugjerime në praktikë EC planifikon që të krijojë ekipin referues për çështje gjinore. PEN do t’iu ofrojë ndihmë duke organizuar trajnime për barazi gjinore specifike për nevojat e ekipit që do të merret me këto çështje. Pas trajnimit gjinor ata/ato do të jenë monitorues/e të gjendjes së brendshme në EC dhe do të mund të përfshijnë perspektivën gjinore në plan programet dhe iniciativat e ardhshme. PEN ofron trajnime dhe sesione informuese për organizatat dhe sindikatat në Kosovë të cilat janë të interesuara të zhvillojnë politika për barazi gjinore brenda organizatës/ sindikatës së tyre. Organizata jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe” funksionin si organizatë aktive në Prizren dhe Prishtinë me staf të dedikuar në zbatimin e misionit të tyre: angazhim për qytetari aktive në formësimin e ambientit jetësor duke nxitur organizim të mirëfilltë të komunitetit, demokratizim të institucioneve dhe pasurim të jetës kulturore në qendrat kryesore të Kosovës, me fokus në Prizren dhe Prishtinë.